Një person i prekur nga çështja që përfshin ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, ka vendosur të mos marrë më pjesë në proces për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë.
Kjo është konfirmuar nga Angela Griep, zëdhënëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e cila theksoi se përfaqësuesi i viktimave ka informuar trupin gjykues më 17 mars për këtë tërheqje.
“Më 17 mars, mbrojtësi i viktimave njoftoi trupin gjykues se një viktimë vendosi të tërhiqej nga pjesëmarrja në proces për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Aktualisht, 154 viktima marrin pjesë në proces në këtë çështje gjyqësore nëpërmjet mbrojtësit të viktimave”, tha ajo.
Sa i përket dëshmive, më 18 mars është pranuar një dëshmi me shkrim nga një dëshmitar, që do të mund të merret në pyetje vetëm nga mbrojtja. Gjithashtu, në të njëjtën ditë janë pranuar si prova materiale dëshmitë e katër dëshmitarëve, por pa u adresuar pyetje nga mbrojtja.