Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se numërimi i votave ka përfunduar në 14 komuna të Kosovës.
Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri më 16 shkurt 2025, ora 16:00, janë numëruar 63.60% e vendvotimeve apo 1,611 nga 2,533.
“Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 14 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Kamenicë, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut”, ka njoftuar KQZ-ja.
Më 16 shkurt, në orë 16:00, procesi i numërimit ka filluar edhe në QKN-në e komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Sipas KQZ-së, në përgjithësi, procesi i numërimit është duke vazhduar në 24 Qendra Komunale të Numërimit.
Në tabelë paraqitet progresi i numërimit të vendvotimeve sipas komunave.
