Në Spitalin e Mitrovicës, dita e sotme ka parë anulimin e programit operativ për shkak të mungesës së tretjeve fiziologjike.
Reparti i kirurgjisë në këtë spital kishte planifikuar pesë operacione për ditën e sotme, por për shkak të mungesës së NaCL, ato nuk u zhvilluan, raporton Gazeta Shneta.
Anulimi i pesë operacioneve ka ardhur si pasojë e mungesës së tretjeve fiziologjike të nevojshme. Një nga mjekët e spitalit ka bërë të qartë situatën, duke theksuar se kanë në dispozicion sasi të NaCL-së vetëm për raste urgjente.
“Tretje kemi vetëm për raste urgjente. NaCl është e domosdoshme për operacione dhe nuk kemi mjaftueshëm, prandaj jemi detyru me anulu programin. Nesër e kemi një mbledhje urgjente me menaxhmentin dhe do të vendosim për ma tutje”, ka deklaruar ai.
Gazeta ka bërë përpjekje për të marrë një koment nga menaxhmenti i spitalit, por ud.drejtoresha Laura Nushi nuk ka dhënë përgjigje. SHSKUK dhe Barnatorja Qendrore kanë konfirmuar se janë të pajisura me NaCl, por nuk kanë ofruar shpjegime shtesë për situatën në Spitalin e Mitrovicës.